Altin Krasniqi pas sigurimit të mandatit: Faleminderit nga zemra 22,649 herë!
Kandidati i PDK-së për deputet, Altin Krasniqi, i cili ka siguruar mandatin në Kuvendin e Kosovës dhe po pret vetëm certifikimin zyrtar të rezultateve nga KQZ-ja, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë në zgjedhje.
Përmes një statusi në Facebook, Krasniqi tha se ka marrë 22,649 vota, duke e cilësuar secilën prej tyre si besim dhe përgjegjësi të madhe politike e morale.
“Çdo votë e marrë për mua është besim dhe përgjegjësi e madhe politike e morale, të cilën do ta mbaj me nder dhe përkushtim”, ka shkruar ai.
Krasniqi theksoi se rezultati i arritur është fryt i një rrugëtimi të përbashkët dhe i mbështetjes së qytetarëve, familjeve dhe miqve që besuan në vizionin e tij politik.
Ai shprehu mirënjohje për secilin votues, duke falënderuar për besimin dhe duke uruar që rrugëtimi i përbashkët të vazhdojë me sukses edhe në të ardhmen.

