Tringa Bujupi falënderon 12,521 votuesit: Besimi juaj është fitorja ime më e madhe
Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, Tringa Bujupi, ka falënderuar qytetarët që e mbështetën në zgjedhje, pasi përfundimi i numërimit të votave i solli asaj 12,521 vota.
Bujupi tha se këto vota nuk i sheh thjesht si numra, por si dëshmi besimi dhe mbështetjeje nga mijëra qytetarë që i hapën dyert e shtëpive, i shtrënguan dorën dhe ndanë me të shpresat, ëndrrat dhe brengat e tyre.
Ajo falënderoi secilin votues që mbështeti atë dhe PDK-në, duke theksuar se kjo përkrahje përfaqëson më shumë se një votë – një mesazh besimi dhe një obligim që do ta mbajë me nder.
“Ndërsa rezultati mund të mos ketë qenë ai që e synuam, ka fitore që nuk maten me mandate. Ato maten me respektin, besimin dhe dashurinë e njerëzve”, u shpreh Bujupi.
Në fund, ajo theksoi se ndihet krenare dhe mirënjohëse për mbështetjen e marrë, duke shtuar se besimi i qytetarëve do të mbetet gjithmonë fitorja e saj më e madhe.

