Isa Xhemajlaj vesh pas 27 vitesh uniformën e luftës, emocionohet në Ditën e Çlirimit të Drenasit (Video)

Ish-luftëtari i UÇK-së, Isa Xhemajlaj, ka ndarë një rrëfim emocionues me rastin e 14 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Drenasit, duke treguar se pas 27 vitesh ka veshur sërish uniformën që e mbajti gjatë luftës.

Sipas Xhemajlajt, kjo ishte një befasi e organizuar nga familjarët e tij – vëllezërit, motrat, fëmijët, nipat dhe mbesat – të cilët kërkuan që ai ta vishte edhe një herë uniformën që e kishte bartur me nder dhe krenari nga viti 1997 deri më 14 qershor 1999.

Ai kujtoi se uniformën e kishte ruajtur si kujtim bashkë me pajisjet personale që nga dita kur, së bashku me bashkëluftëtarët, hynë triumfalisht në Drenas pas çlirimit.

Xhemajlaj tha se momenti i rikthimit të uniformës i solli ndër mend kujtime të shumta nga vitet e luftës, veçanërisht natën e ftohtë të dimrit të vitit 1997, kur pas një udhëtimi të vështirë në Shqipëri për furnizim me armë dhe municion, ai dhe bashkëluftëtarët e tij u kthyen në Kosovë.

“Kur e vesha këtë uniformë, kujtimet m’u kthyen tri dekada pas, në fillet e para të rrugës sonë për liri”, ka shkruar ai.

Në fund të mesazhit të tij, Xhemajlaj ka uruar Ditën e Çlirimit të Drenasit, duke shprehur nderim për dëshmorët dhe respekt për të gjithë luftëtarët e lirisë.

“Urime Dita e Çlirimit të Drenasit. Lavdi dëshmorëve, respekt luftëtarëve”, ka përfunduar ai.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë