Pasi mungoi në varrim, Përparim Gruda bën homazhe te varri i Sahit Jasharit

Kandidati më i votuar për deputet në listën e PDK-së, Përparim Gruda, ka bërë homazhe te varri i veprimtarit dhe luftëtarit të UÇK-së, Sahit Jashari, duke vendosur lule në nderim të jetës dhe veprës së tij.

Gruda ka bërë të ditur se, për shkak të mungesës së tij në Kosovë, nuk kishte mundur të merrte pjesë në ceremoninë e varrimit, ndërsa sot, së bashku me Besim Ramën, vizitoi varrin e të ndjerit për të shprehur respektin dhe mirënjohjen e tij.

Ai ka kujtuar se kishte pasur fatin ta njihte personalisht Sahit Jasharin, të cilin e përshkroi si një njeri të përkushtuar, të urtë dhe krenar për idealet për të cilat kishte luftuar.

“Pranë varrit të tij, me respekt dhe mirënjohje, kujtova jo vetëm luftëtarin e UÇK-së, por edhe njeriun e mirë që la gjurmë te të gjithë ata që patën fatin ta njohin”, ka shkruar Gruda.

Sipas tij, Kosova dhe kombi shqiptar nuk do ta harrojnë kurrë Sahit Jasharin, ndërsa vepra, sakrifica dhe kontributi i tij për lirinë e vendit do të mbeten përgjithmonë pjesë e kujtesës kolektive.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për Sahit Jasharin”, përfundoi Gruda.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë