Voton Vjosa Osmani: Pa qytetarët nuk ka demokraci

Kandidatja për presidente të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani në shkollën “Shkëndija” në lagjen Hajvalia të kryeqytetit është shprehur se është mirënjohëse për qytetarët për sa u përket proceseve zgjedhore.

“Tashmë jemi në heshtje zgjedhore, por natyrisht unë jam shumë e lumtur me mënyrën se si qytetarët e Kosovës, e marrin si detyrim kombëtar mundësinë që me kontribu në çdo proces zgjedhor edhe kjo është shumë shumë më rëndësi, sepse pa ta nuk ka demokraci dhe për këtë jam tepër mirënjohëse, për gjithçka që bëjnë për këtë vend dhe nuk e ndalin kurrë kontributin”, tha Osmani.

Pas votimit, Osmani u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e krijimit sa më të shpejtë të institucioneve dhe tejkalimit të krizave politike në vend.

“Uroj për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës një proces zgjedhor të rregullt, një proces zgjedhor që i kontribuon demokracisë në vendin tonë, që i kontribuon edhe krijimit të institucioneve sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që Kosova të dalë nga krizat e njëpasnjëshme. Kjo është në interes të vendit tonë, është në interes të qytetarëve tanë dhe do ta forcojë Kosovën edhe përbrenda edhe jashtë kufijve të saj. Kështu që, shpresoj shumë që sa më shumë qytetarë tanë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike në mënyrë që të dëgjohet zëri i tyre në këtë proces kaq të rëndësishëm e kaq jetik për vendin tonë”, ka deklaruar Osmani.

“Dua t’i falënderoj të gjitha institucionet që përgjatë tërë ditës sot do të jenë në terren, do të jenë duke kryer detyrën e tyre, duke filluar nga institucionet e sigurisë, deri tek ato të drejtësisë, dhe natyrisht ju falënderoj edhe juve mediave që do të punoni sot tërë ditën edhe deri pas mesnatës, po besoj, për ta përcjellë rezultatin. Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë qenë pjesëmarrës gjatë këtij procesi, duke i dhënë hijeshi demokracisë, duke i dhënë sharm demokracisë, dhe shpresoj që edhe sot sa më shumë prej tyre do ta shfrytëzojnë të drejtën e votës. Shpresoj që sot do të jetë dita e Kosovës, dita kur Kosova do të fitojë, dita kur Kosova do të festojë”, u shpreh ajo. E pyetur nga gazetarët nëse këto zgjedhje do të ndihmojnë në zgjidhjen e ngërçit institucional dhe në krijimin e institucioneve të reja, Osmani u shpreh optimiste për rezultatin që do të prodhojë vota e qytetarëve”.

“Unë jam e bindur që me votën e qytetarëve sot do të mundësohet rruga drejt krijimit të shpejtë të institucioneve dhe do të dalim nga krizat e njëpasnjëshme të cilat e kanë dëmtuar vendin tonë, siç e thashë, edhe përbrenda por edhe jashtë kufijve tanë. Kështu që, vërtet kam optimizëm të madh që sot vota e qytetarëve do ta nxjerrë vendin nga kriza dhe shyqyr që jemi kthyer te qytetarët që ata ta bëjnë këtë punë, dhe sot pasi të dalin rezultatet besoj që të gjithë do të kemi arsye që ta shohim Kosovën lart e sa më lart”, shtoi Osmani.

Më poshtë mund të shihni videon.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë