Albin Kurti përkujton dëshmorin Asllan Fazliu në 27-vjetorin e rënies
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar dëshmorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Asllan Fazliu, në 27-vjetorin e rënies së tij heroike.
Kurti rikujtoi se më 23 mars të vitit 1999, Asllan Fazliu ra dëshmor gjatë luftimeve me forcat serbe në malet e Qyqavicës. Ai theksoi se, ndonëse vetëm 35 vjeç, Fazliu përfaqësonte figurën e luftëtarit të denjë të gjeneratës së UÇK-së, krahas emrave të mëdhenj si Adem e Hamëz Jashari, Fehmi Lladrovci dhe Ilaz Kodra.
I lindur më 10 tetor 1963 në Gradicë, Asllan Fazliu mbante një emër që simbolizon forcën – “luan”, një epitet që u mishërua edhe në luftë, ku ai u shqua për trimëri të jashtëzakonshme.
Kryeministri vuri në pah edhe sakrificën e madhe të familjes Fazliu, e cila dha tre dëshmorë për lirinë e Kosovës. Pas rënies së Asllanit, vëllai i tij Mehdi Fazliu vazhdoi luftën në Brigadën 114 “Fehmi Lladrovci”, derisa ra dëshmor më 18 prill 1999. Po ashtu, më 25 maj 1999, ra dëshmor edhe xhaxhai i tyre, Milazim Fazliu.
Në fund, Kurti nderoi veprën e Asllan Fazliut dhe të gjithë dëshmorëve që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

