Skenderaji bëhet me stacion modern të autobusëve
Janë hapur dyert e stacionit të ri të autobusëve në Skenderaj, një investim që po konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës urbane në këtë komunë, transmeton portali DrenicaOnline.
Pamjet nga ky stacion tregojnë një hapësirë moderne dhe funksionale, e cila pritet të lehtësojë qarkullimin dhe të përmirësojë shërbimet për qytetarët dhe udhëtarët.
Nënkryetari i komunës, Fadil Nura, ka bërë të ditur se ky projekt i jep qytetit një dimension të ri zhvillimi.
“Sot hapëm dyert e stacionit të ri të autobusëve në Skenderaj, një hapësirë moderne, funksionale dhe dinjitoze që i jep qytetit ritëm, rend dhe identitet të ri urban. Faleminderit të gjithëve që besuat në premtimet tona!”, ka thënë Nura, transmeton DrenicaOnline.
Ky stacion pritet të ndikojë pozitivisht në organizimin e transportit publik dhe në përmirësimin e imazhit të qytetit./DrenicaOnline/






