Traktori me dru të vjedhura godet veturën e Policisë, lëndohen katër zyrtarë policor

Një rast i rëndë është raportuar të shtunën pasdite në fshatin Pollatë të Podujevës, ku tre persona janë arrestuar nën dyshimin për “vrasje në tentativë” dhe “pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 14 mars 2026 rreth orës 16:30, kur të dyshuarit, meshkuj kosovarë, dyshohet se kanë goditur me mjetet e tyre një automjet zyrtar të policisë, transmeton portali DrenicaOnline.

Dyshohet se njëri nga të dyshuarit ishte me traktor të ngarkuar me dru ilegale, ndërsa tjetri me automjet, me të cilat kanë goditur veturën e policisë. Si pasojë e incidentit, katër zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

Policia ka bërë të ditur se të tre të dyshuarit janë arrestuar dhe intervistuar, ndërsa me vendim të prokurorit dy prej tyre janë dërguar në mbajtje, kurse i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti po vazhdon të hetohet nga organet kompetente./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë