Bllokohet përkohësisht qarkullimi në rrugën nacionale Ferizaj–Prishtinë për shkak të ujit në rrugë

Policia e Kosovës njofton se për shkak të pranisë së madhe të ujit në rrugë, është ndaluar përkohësisht qarkullimi i automjeteve në një segment të rrugës nacionale Ferizaj–Prishtinë, konkretisht në pjesën që kalon nëpër fshatin Llapnasellë.

Sipas njoftimit, bllokimi përfshin segmentin nga rrethi i Prishtina Mall në drejtim të Prishtinës, si dhe segmentin nga rrethi i Marigona në drejtim të Ferizajt. Vendimi është marrë në koordinim me zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës.

Autoritetet bëjnë të ditur se qarkullimi i automjeteve do të devijohet dhe orientohet përmes autostradës, deri në përmirësimin e gjendjes në këtë segment rrugor.

Ky veprim është ndërmarrë si masë e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve dhe parandalimin e rrezikut në trafik. Policia u bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë udhëzimet dhe shenjat e komunikacionit, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë