Vërshimet në Drenas: Komuna u bën thirrje qytetarëve t’i raportojnë dëmet sa më parë
Komuna e Drenasit ka ftuar zyrtarisht të gjithë qytetarët që kanë pësuar dëme nga vërshimet e ditëve të fundit, që t’i drejtohen Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve.
Përmes një njoftimi publik, komuna ka bërë të ditur se paraqitja e kërkesave brenda një afati sa më të shpejtë është e domosdoshme për të nisur procesin e kompensimit.
Komuna ka kërkuar që kërkesat të dorëzohen në sportelet e administratës komunale, duke respektuar këto kritere.
“Komuna e Drenasit njofton të gjithë qytetarët që janë prekur nga vërshimet që të paraqiten sa më parë me kërkesat e tyre pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve. Paraqitja me kohë e kërkesave është e domosdoshme, në mënyrë që komisioni të mund të fillojë procesin e verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve sa më shpejt që të jetë e mundur. Kërkesat duhet të jenë të plota, të shoqëruara me të dhënat e nevojshme dhe të dorëzohen në sportelet e Komunës së Drenasit. Komuna e Drenasit mbetet e përkushtuar për të qenë pranë qytetarëve në këtë situatë dhe për të trajtuar me përgjegjësi çdo kërkesë të paraqitur”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.

