Ish-deputeti i PDK-së, Fadil Demaku: Pa strategji parandaluese, vendi po merret vazhdimisht vetëm me pasojat e vërshimeve
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Demaku, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar pas vërshimeve të fundit, duke theksuar se mungesa e një strategjie të qëndrueshme dhe e investimeve serioze nga institucionet qendrore dhe lokale për masa parandaluese, sidomos ndaj rrezikut nga vërshimet, po e lë vendin të përballet vazhdimisht vetëm me pasojat.
Sipas Demakut, kjo nuk është hera e parë që ndodhin situata të tilla, ndërsa barra e dëmeve, në çdo rast, bie mbi qytetarët. Ai ka theksuar se familje të tëra po përballen me humbje të mëdha materiale dhe pasiguri për të ardhmen.
Demaku ka vlerësuar se situata e dy ditëve të fundit duhet të shërbejë si një sinjal i qartë për marrjen e përgjegjësive institucionale dhe për ndërmarrjen e veprimeve konkrete, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten vazhdimisht në të njëjtën formë.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se procedurat burokratike për vlerësimin e dëmeve, nëse vazhdojnë si në rastet e kaluara, rrezikojnë që qytetarët e dëmtuar të mbesin peng i pritjeve të gjata për një kompensim që, sipas tij, kurrë nuk do të jetë i barasvlefshëm me dëmet reale të shkaktuara.
“Në këto rrethana, institucionet e kanë për detyrë t’i mbështesin qytetarët me veprime konkrete dhe në kohë”, ka përfunduar ish-deputeti i PDK-së.

