Sami Lushtaku: Situata nga vërshimet në Skenderaj është përkeqësuar ndjeshëm

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku është deklaruar nga mesnata lidhur me situatën e rënduar nga vërshimet në Komunën e Skenderajt.

Sipas tij, si pasojë e reshjeve të pandërprera gjatë orëve të fundit, situata është përkeqësuar ndjeshëm, duke shkaktuar vërshime në shumë ekonomi familjare, biznese, rrugë dhe prona publike, si dhe në oborre e toka bujqësore të qytetarëve. Dëmet janë të konsiderueshme, ndërsa ekziston rrezik real për sigurinë e qytetarëve.

Lushtaku thekson se ekipet komunale, shërbimet emergjente – përfshirë zjarrfikësit dhe Policinë, mekanizmi i rëndë, si dhe qytetarë vullnetarë, janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për menaxhimin e situatës, mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe parandalimin e përkeqësimeve të mëtejme.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, duke kërkuar që të shmangin zonat e rrezikuara dhe të bashkëpunojnë me ekipet emergjente.

“Situatën po e monitorojmë vazhdimisht dhe qytetarët do të informohen me kohë për çdo zhvillim,” ka përfunduar Lushtaku.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë