Prokuroria: Urdhërohet ri-fillimi i numërimit të fletëvotimeve në Mitrovicë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar që të rinis procesi i numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit të Votave në Mitrovicë të Jugut.

Sipas prokurorisë deri këtu ka ardhë pas njoftimit të kompanisë ‘CETIS’ që ka bërë shtypjen e fletëvotimeve për gabimin teknik.

“Kjo pasi kompania CETIS mbi printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë, përmes një njoftimi ka shpjeguar se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim, sipas të cilës në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Mitrovicës.
KQZ njoftoi mes tjerash se kanë caktuar dy hetues policorë që të jenë prezent gjatë procesit.

“Sidoqoftë, për të ruajtur integritetin e procesit të numërimit të fletë votimeve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë tërë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit” – thuhet tutje në njoftim.

Paraditen e 11.11.2025, Partia Demokratike e Kosovës paralajmëroi se do të dorëzojnë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe se do të kërkojnë rivotim.

“Sot do ta dërgojmë rastin në PZAP, dhe do kërkojmë që të administrohen kamerat që kanë qenë në klasë, nga Prokuroria. Ne kërkojmë që Mitrovica të shkojë në rivotim. Këtë do e kërkojmë edhe nga PZAP” – tha depueti i PDK-së, Përparim Gruda në konferencë për media.

“Nuk mundet me thanë që ka një gabim dhe do ta lëmë që procesi të kompromentohet. Nëse çdo institucion i shtetit e pranon gabimin e kompanisë që ka pasur gabim teknik, sërish duhet që zgjidhja duhet të jetë rivotimi.” – tha tutje Gruda.

Prokuroria e Mitrovicës në orët e para të 11.11.2025 pati urdhëruar që përkohësisht të ndërpritet numërimi i fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë.

Sipas Prokurorisë, kjo ka ardhur si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura që kanë rezultuar me ndërprerjen e numërimit nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletëvotime.

“Për këto arsye, dhe me qëllim të shmangies të të gjitha dilemave, kjo urdhëresë vlen deri në marrjen e një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletë votimet, e ku do të konfirmohet se a kemi të bëjmë me gabim teknik apo me manipulim të fletë votimeve, dhe varësisht nga përgjigja e marrë do të procedohet tutje”- thuhet në njoftimin e lëshuar më 11.11.2025.

Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë është ndërprerë numërimi i votave të balotazhit të zhvilluar më 09.11.2025 për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut.

Vëzhguesit e PDK-së dhe ata të LDK-së në Qendrën Komunale të Numërimit e kanë bojkotuar procesin e numërimit të votave.

Sipas rezultateve preliminare, Faton Peci i LVV-së ka dalë fitues ndaj Arian Tahirit të PDK-së.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë