Produkte të skaduara në një market në Kishnarekë – Inspeksioni i Drenasit ndërmerr masa të menjëhershme

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Drenasit ka zhvilluar një kontroll në një market në fshatin Kishnarekë, ku janë gjetur produkte me afat të skaduar në raftet e shitjes.

Sipas njoftimit zyrtar, produktet e skaduara janë konfiskuar dhe do të asgjësohen sipas procedurave ligjore. Ndaj pronarit të marketit është marrë masa e mbylljes së përkohshme të lokalit, ndërsa është shqiptuar gjobë mandatore në vlerë prej 500 euro.

Drejtoria e Inspeksionit ka apeluar tek të gjithë bizneset tregtare që operojnë në territorin e komunës që të respektojnë ligjet dhe standardet për sigurinë ushqimore, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

Komuna e Drenasit ka bërë të ditur se do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe të papritura në gjithë territorin e saj, për të siguruar që në treg të qarkullojnë produkte cilësore dhe të sigurta për qytetarët.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë