Ramiz Lladrovci: Hashimin, Kadriun, Jakupin e Rexhën i presim të pafajshëm – procesi në Hagë është njollë e drejtësisë ndërkombëtare
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kujtuar sot pesëvjetorin e ndarjes nga liderët e luftës dhe paqes, të cilët ndodhen në Hagë. Ai tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nuk janë fizikisht në mesin tonë e as pranë familjeve të tyre, por mbeten përherë në mendjet dhe zemrat e qytetarëve të Kosovës.
“Pesë vjet, liderët tanë të luftës dhe paqes, Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha dhe të tjerët, nuk janë fizikisht në mesin tonë, nuk janë pranë familjeve, nuk janë të lirë në shtetin për të cilin punuan me përkushtim të jashtëzakonshëm”, shkroi Lladrovci.
Ai theksoi se vepra e tyre është e pandashme nga pavarësia e Republikës së Kosovës, duke e cilësuar si vazhdim të historisë më të ndritur të kombit shqiptar, që nisi me Skënderbeun, u vazhdua me Ismail Qemalin dhe u përmbyll me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, procesi gjyqësor në Hagë ndaj këtyre figurave është njolla më e madhe e drejtësisë ndërkombëtare, e ndërtuar mbi burime të pabesueshme dhe të komprometuara.
“Drejtësia ndërkombëtare ka pasur lëshime gjatë ekzistencës së vet, por procesi ndaj heronjve tanë të luftës dhe paqes në Hagë, do të mbetet njolla më e madhe e saj, tashmë e dëshmuar se është proces i sajuar nga armiqtë tanë,” ka theksuar ai.
Në fund, Lladrovci ka shprehur besimin e plotë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të kthehen në Kosovë me aktgjykim lirues, ashtu siç e meritojnë luftëtarët e lirisë.
“Hashimin, Kadriun, Jakupin, Rexhën dhe të tjerët, i presim me aktgjykim lirues nga akuzat. Ata zhvilluan luftë të drejtë çlirimtare dhe në bashkëpunim me aleatët. Çdo ditë e qëndrimit të tyre larg Kosovës, është padrejtësi. Ju presim të pafajshëm çlirimtarë!”, përfundoi Lladrovci.


