Betim Gjoshi: “Pesë vite pa figurat që ndërtuan shtetin – Kosova endet nëpër mjegull”
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka reaguar sot në përvjetorin e pestë të arrestimit të krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar këtë periudhë si “pesë vite të lëngimit të Kosovës, pa drejtim dhe pa shpresë”.
Në një postim të fuqishëm, Gjoshi ka kujtuar se më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u morën pavullnetshëm, duke i cilësuar ata si figura që përfaqësonin “historinë, vizionin shtetëror dhe kombëtar të Kosovës”.
“Në mungesën e tyre, Kosova endet si nëpër mjegull, pa drejtim dhe pa busull. Ata që sot drejtojnë shtetin, e kanë marrë peng dhe po e tërheqin zvarrë drejt greminës më të afërt, me vetëdije, jo nga paaftësia, por si pjesë e një strategjie për dështimin e Republikës”, shkruan Gjoshi.
Ai thekson se uzurpatorët e institucioneve e kanë lënë vendin “pa aleatë, pa forcë përfaqësimi dhe si shtet të sanksionuar nga Perëndimi”, ndërsa shton se “dergjja e shtetit është bërë qëllim, jo pasojë”.
“Mungesa e tyre është boshllëk në udhëheqje dhe, mbi të gjitha, padrejtësi për historinë e lavdishme të UÇK-së dhe sakrificën e një populli të tërë për liri. Padrejtësia duhet të marrë fund, e bashkë me të edhe ky lëngim pesëvjeçar i Kosovës që nuk prodhon as zhvillim, as shpresë, por vetëm e mban popullin dhe shtetin në kufijtë e ekzistencës.”
Në fund, Gjoshi kujton se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po qëndrojnë në Hagë “në mbrojtje të së drejtës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi”, duke shtuar se kjo është “e vërteta historike që nuk mund të rishkruhet”.


