Albin Kurti kërkon lirimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit: “Prokuroria e ka përfunduar rastin, dëshmitarë më nuk ka”

Menjëherë pas vendosjes së luleve të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës – ku ndodhet ende edhe sot, pesë vite më pas.
Përveç tij, në paraburgim po qëndrojnë tash e pesë vjet edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, ndërsa arsyeja për vazhdimin e masës së paraburgimit mbetet e njëjtë: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”.

Megjithatë, siç theksoi sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ky argument më nuk qëndron, pasi Prokuroria e ka përfunduar rastin dhe nuk ka më dëshmitarë.

“Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim. Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë,” – theksoi Kurti.

Ai kujtoi se si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe si deputet që nga viti 2014, bashkë me Rexhep Selimin, kishin paraqitur qëndrimet kundër themelimit të Gjykatës Speciale. Ndërsa tani, si Kryeministër, ka ndërmarrë hapa konkretë institucionalë për lirimin e tyre.

“Zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në shtator të vitit 2022, i kam dërguar letër drejtpërdrejt znj. Trandafilova lidhur me këtë çështje. Letra e bërë publike sot tregon qartë kërkesën tonë për lirimin e tyre dhe kthimin në shtëpitë e tyre,” – tha Kurti.

Kryeministri bëri të ditur se përgjigja nga kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trandafilova, nuk kishte sjellë ndonjë ndryshim, megjithatë ai theksoi se Kosova ofron të gjitha garancitë për një përgjigje pozitive ndaj kërkesave për lirim.

“Besoj se është e drejtë që ata të kthehen pranë familjeve të tyre dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës,” përfundoi Kurti.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë