PDK: Zgjidhja e vetme për vendin janë zgjedhjet e reja të parakohshme
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike, duke theksuar se vendi ndodhet përpara një momenti vendimtar që kërkon vendime të përgjegjshme dhe në përputhje me realitetin politik në Kuvend.
Sipas PDK-së, është e qartë se shumica shqiptare në Kuvend nuk e mbështet një tjetër mandatar nga Lëvizja Vetëvendosje, prandaj çdo përpjekje për t’ia dhënë sërish mandatin kësaj partie do të ishte humbje kohe dhe zvarritje e panevojshme.
“Dështimi i Albin Kurtit për të siguruar shumicën është i qartë, dhe çdo tentativë për ta zgjatur artificialisht këtë proces vetëm sa e thellon krizën politike dhe institucionale”, thuhet në reagim.
PDK vlerëson se zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike janë zgjedhjet e reja të parakohshme, të cilat do t’i kthejnë qytetarit të drejtën për të përcaktuar drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja.

