Si ndodhi vrasja në Fushticë, Prokuroria jep detajet e fundit

Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se është arrestuar i dyshuari V.P., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja”, nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), si dhe “Manipulimi me prova”, nga neni 389 i KPRK-së.

Në vendin e ngjarjes ka dalë Prokurori kujdestar së bashku me njësitë relevante të Policisë, të cilat gjatë hetimeve fillestare kanë konstatuar se ngjarja ka ndodhur në garazhin e shtëpisë së viktimës, transmeton portali DrenicaOnline.

Gjatë kontrollit në vendngjarje janë gjetur dhe siguruar një (1) gëzhojë dhe një (1) fishek, ndërsa arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, një pistoletë e tipit “ZORAKI 917-T”, me numër serik A3YZR16YS01201411, është gjetur dhe sekuestruar në shtëpinë e vëllait të viktimës.

Sipas informacioneve fillestare, viktima e rastit, R.Sh., ishte dërguar nga familjarët në QKMF Komoran, ku mjeku kujdestar kishte konstatuar se i njëjti ishte pa shenja jete.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është kryer bastisja e shtëpisë së viktimës, pasi që dyshohet se arma me të cilën është kryer vepra penale ishte në pronësi të viktimës.

Prokurori i Shtetit, brenda afateve ligjore, do të parashtrojë kërkesë në Gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.P./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë