IPK rekomandoi suspendimin për dy zyrtarë policorë në Drenas
Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Drenas .
Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime fillestare hetimore me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Nga të dhënat e mbledhura deri më tani gjatë hetimeve të IPK-së dyshohet se zyrtarët policorë kanë treguar neglizhencë gjatë realizimit të detyrës zyrtare dhe ndërmarrjes së veprimeve lidhur me një vrasje që është raportuar dje në orët e pasdites në fshatin Fushticë e Poshtme të Drenasit.
Bazuar në hetimet fillestare dhe në autorizimet ligjore të IPK-së, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor dhe parandalimit të ndonjë ndikimi të mundshëm në prova apo dëshmitarë , është rekomanduar suspendimi i zyrtarëve në fjalë.
Hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

