Zhduket vajza 15-vjeçare në Skenderaj – policia nis kërkimet intensive

Një vajzë 15-vjeçare është raportuar e zhdukur në Skenderaj, pasditen e së premtes, duke ngritur alarmin për familjen dhe autoritetet.

Rasti është regjistruar më 31 tetor 2025, rreth orës 23:30, në Stacionin Policor të Skenderajt.

Fillimisht një qytetar ka njoftuar Policinë përmes telefonit se mbesa e tij e mitur, ishte larguar nga shtëpia rreth orës 14:30 dhe nuk ishte kthyer më. Më vonë, nëna e vajzës, është paraqitur në stacionin policor dhe ka konfirmuar se vajza e saj nuk është kthyer në shtëpi, duke shtuar se kontakti i fundit me të ishte rreth orës 20:20, përmes telefonit.

Në momentin e largimit, ajo kishte të veshur duks të zi dhe xhaketë të zezë, ndërsa ngjyra e pantallonave dhe këpucëve nuk dihet.

Njësitet policore dhe hetimore janë angazhuar menjëherë në terren, ndërsa me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, rasti është hapur si “Person i zhdukur” dhe po trajtohet me prioritet.

Kërkimet për vajzën e mitur janë në zhvillim, ndërsa Policia ka ftuar qytetarët që mund të kenë informacione për vendndodhjen e saj të kontaktojnë menjëherë autoritetet kompetente./Sinjali/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë