Imami nga Drenasi, Osman Musliu: Drejtësia s’po funksionon, disa prokurorë kanë dështuar të mbrojnë të drejtën
Imami nga Drenasi, Osman Musliu, ka reaguar përmes një sqarimi publik pas, siç thotë ai, përpjekjeve të disa mediave dhe individëve për të shtrembëruar intervistën dhe faktet që ka paraqitur.
Sipas Musliut, çështja është e thjeshtë dhe lidhet me padrejtësi të kryera nga disa individë brenda institucioneve shtetërore, përfshirë edhe disa prokurorë që, sipas tij, kanë dështuar ta mbrojnë të drejtën.
“Pavarësisht përpjekjeve të disa mediave dhe individëve për të shtrembëruar intervistën dhe faktet, çështja është shumë e thjeshtë: bëhet fjalë për dallavere dhe padrejtësi të kryera nga disa individë brenda institucioneve shtetërore dhe disa prokurorë që kanë dështuar të mbrojnë të drejtën,” ka deklaruar Musliu.
Ai ka theksuar se kjo nuk është çështje politike, por një çështje morale dhe ligjore që lidhet me mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë në vend.
“Kur drejtësia nuk funksionon, ndoshta është koha të përkrahen më shumë ata udhëheqës që përpiqen ta pastrojnë padrejtësinë brenda vetë drejtësisë. Sepse pa drejtësi, as shteti s’ka kuptim,” ka përfunduar Musliu.

