Blerim Krasniqi i Nismës në Drenas fiton ankesën për parregullsitë zgjedhore, supremja urdhëron PZAP-në ta rishqyrtojë ankesën

Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar ankesën e kandidatit për Asamblenë Komunale në Komunën e Gllogocit, Blerim Krasniqi, nga subjekti politik Nisma Socialdemokrate, lidhur me parregullsitë e pretenduara gjatë numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Me këtë vendim, Gjykata Supreme ka prishur vendimin e mëparshëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe ka urdhëruar që çështja të kthehet në rivendosje për hetim të plotë dhe të drejtë të pretendimeve.

Në arsyetimin e aktvendimit thuhet se PZAP nuk ka dhënë arsye të qëndrueshme dhe bindëse, ndërsa ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe me Rregulloren për Procedurat e Parashtrimit dhe Vendosjes së Ankesave. Gjykata vlerëson se PZAP ka bërë një refuzim të gabuar të ankesës, pasi nuk ka kryer hetime të mjaftueshme lidhur me parregullsitë e pretenduara në disa qendra votimi në Gllogoc.

Krasniqi kishte deklaruar se në disa qendra votimi, përfshirë 0317/01, 0317/02, 0317/03, 0303, 0304, 0311, 0312, 0313, 0318, 0325, 0326 dhe 0328, mungonin votat e familjarëve dhe qytetarëve që kishin votuar në mënyrë të rregullt, si dhe se një numër i konsiderueshëm votash ishin shpallur të pavlefshme pa arsye të arsyeshme.

Gjykata Supreme theksoi se PZAP është dashur të hetojë materialin zgjedhor, përfshirë hapjen e kutive të votimit, për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor dhe për të verifikuar vullnetin e qytetarëve.

Me këtë vendim, Gjykata Supreme i ka kërkuar PZAP-it që të shqyrtoj sërish pretendimet e kandidatit Blerim Krasniqi dhe të hetojë çdo provë relevante, në mënyrë që të garantohet që “secila votë të shkojë në destinimin e synuar dhe të mos ketë devijim të vullnetit të qytetarëve”.

Vendimi është marrë më 24 tetor 2025, nga kolegji gjyqësor i përbërë nga Delushe Halimi (kryetare), Nenad Lazic dhe Faton Ademi.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë