Dy javë pas humbjes, PDK-ja e Drenasit mban mbledhjen e parë/ Hajdari: Përgjegjësia për këtë më takon mua e jo qytetarit

Dy javë pas rezultatit zgjedhor që solli një tronditje të madhe për PDK-në në Drenas, ku Ramiz Lladrovci fitoi pa balotazh kundër gjithë strukturës zyrtare të partisë, dega e PDK-së në Drenas ka mbajtur mbledhjen e parë pas zgjedhjeve, transmeton portali DrenicaOnline.

Takimi u kryesua nga ish-kandidati për kryetar komune, Petrit Hajdari, dhe në të morën pjesë kryesia e degës dhe kandidatët për Kuvendin Komunal.

“Në takim me kryesinë e degës së PDK-së në Drenas dhe me kandidatët tanë për Kuvendin Komunal, diskutuam për zhvillimet e fundit dhe zgjodhëm kryetarin e grupit të anëtarëve të Kuvendit Komunal”, deklaroi Hajdari.

Ai shtoi se opozita në Drenas do të bëhet me nder dhe dinjitet, ashtu siç i ka hije Partisë Demokratike të Kosovës.

“PDK-ja e Drenasit nuk duhet veç kur jep pushtet, por edhe kur duhet të punojë nga disavantazhi i opozitës. Çdo rrugë tjetër në politikë është e pakuptimtë”, theksoi ai.

Hajdari mori përsipër përgjegjësinë për rezultatin zgjedhor, duke theksuar se faji nuk i takon qytetarëve, por atij vetë si kandidat.

“Është e vërtetë që rezultati nuk ishte ai që prisnim, por përgjegjësia për këtë më takon mua e jo qytetarit. Do të punojmë për ta sjellë edhe PDK-në edhe Drenasin në lartësinë që e meriton”,  përfundoi ai.

Kjo mbledhje e parë vjen në një periudhë reflektimi për strukturat e PDK-së në Drenas, pas një rezultati që ndryshoi historikun e partisë në këtë komunë, dikur bastion i saj tradicional./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë