Hasani: Kurti më premtoi që do t’i vizitojë ish-krerët e UÇK-së në Hagë, më mashtroi- s’kam votë për të

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka bërë të ditur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka premtuar se do t’i vizitojë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Hasani, u shpreh se është mashtruar nga Kurti dhe pikërisht për këtë nuk do të ketë votë për të formimin e Qeverisë në seancën që do të mbahet të dielën.

Hasani, mes tjerash, u shpreh se sipas tij Kurti i është ankuar për kalimin e shumë dyerve gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe nënshkrimin e shumë dokumenteve.

“Mua ma kanë kontaktuar të Vetëvendosjes më herët, më kanë kërkuar votën edhe për kryetar të Kuvendit edhe për Qeverinë dhe kam thënë jo – Albini vetë i ka dërguar njerëzit dhe kam thënë jo dhe kur më kanë pyetur se cila është arsyeja kam thënë se Albini më ka mashtruar dhe kaq. Nuk kisha asgjë personale i kam thënë para dy vitesh ka qenë kjo – ‘je kryeministër dhe të takon të shkosh në Hagë t’i vizitosh Hashim Thacin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin’ pasi ata kanë nevojë si kryeministër t’i japë mbështetjen në mbrojtje të vlerave të luftës dhe UÇK-së – ai (Kurti) tha po. Më tha që ka shumë dyer për të kalu e shumë letra me i nënshkru – unë i thash se dyert t’i qelin të tjerët dhe letrat i nënshkruan të tjetër nuk i nënshkruan vetë – tjetër asgjë s’kam. Po të kishte shkuar atje, Albini do të ishte shqiptari më i madh këtu”, u shpreh Hasani në Dukagjin.

Tutje, Hasani u shpreh se pret dhe beson që ish-krerët e UÇK-së do të lirohen shpejt nga Haga.

“Pres që ata të kthehen nëse ka drejtësi dhe besojmë në drejtësi pasi e gjithë akuza është akuzë e Serbisë, por nëse ajo drejtësi i gjykon ata më gjykon edhe mua këtu dhe UÇK-në, luftën tonë dhe shtetin tonë. Trazirat nuk do të mund t’i ndalë askush nëse ata atje dënohen, tha Hasani.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë