77-vjeçari që vdiq tragjikisht në Fushë Kosovë – ra në gropën e ndërtuar për lift në një punishte të kompanisë “Al Trade”

Një ngjarje e rëndë me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur të mërkurën pasdite në Fushë Kosovë, ku një burrë 77-vjeçar ka humbur jetën pas rënies nga një lartësi prej rreth 3 metrash në një objekt ndërtimi.

Sipas të dhënave zyrtare, rasti është raportuar më 22 tetor 2025, rreth orës 13:30, në rrugën “Agron Rrahmani” në fshatin Bresje, në objektin e punishtes “Al-Trade”.

Nga hetimet e para, dyshohet se viktima, Sokol Thaqi, rreth 77-vjeçar, nuk ishte punëtor i punishtes, por kishte shkuar në objekt së bashku me një familjar, A.Th., i cili ishte nënkontraktor në atë vend ndërtimi. Gjatë vizitës, viktima ka rënë në një hapësirë të hapur brenda objektit, e cila sipas dëshmive, ishte e destinuar për vendosjen e liftit.

Nuk ka pasur dëshmitarë okularë që e kanë parë momentin e rënies, ndërsa në objekt nuk ishin vendosur kamera sigurie në atë drejtim.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Kosovës, përfshirë hetuesit e NJHP-së, inspektorët e punës dhe mjekësia ligjore.

Prokurori kujdestar ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa është inicuar rasti “Hetim mbi vdekjen” për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Hetimet janë në vazhdim./Sinjali/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë