Lladrovci mbledh ekipin fitues, Drenasi vazhdon me energji të re

Kryetari i rizgjedhur i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka mbajtur një takim me asamblistët e zgjedhur dhe kandidatët për Asamble nga lista fituese “Për Drenasin Kampion”, bashkë me Shefin e Shtabit Zgjedhor, Arben Shala.

Në këtë takim, Lladrovci i uroi të pranishmit për fitoren që e quajti “shembullore” dhe “fitore e qytetarëve kampionë të Drenasit”, duke i falënderuar për angazhimin e tyre të sinqertë dhe të jashtëzakonshëm gjatë fushatës zgjedhore.

Me konsensus të plotë, asamblistët që kanë siguruar ulëse në Kuvendin Komunal vendosën që Burim Bujupi të jetë kandidati për Kryesues të Kuvendit Komunal, ndërsa Gani Krasniqi do të jetë Shef i Grupit Parlamentar.

“Pas numërimit të votave të pjesëmarrësve në votim, i urova asamblistët dhe kandidatët e listës fituese për suksesin e arritur. Ata do të jenë përfaqësues dinjitoz dhe me integritet në Kuvendin e Komunës”, tha Lladrovci.

Në fund, kryetari Lladrovci theksoi se Drenasi edhe një herë dëshmoi se është zemra e Kosovës, duke shtuar se puna do të vazhdojë me “kandidatët kampionë dhe qytetarët kampionë”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë