Gani Krasniqi emërohet Shef i Grupit Parlamentar në Kuvendin Komunal të Drenasit
Pas mbledhjes së mbajtur me asamblistët e zgjedhur të listës fituese “Për Drenasin Kampion”, është vendosur që Gani Krasniqi të jetë Shef i Grupit Parlamentar në Kuvendin Komunal të Drenasit, transmeton portali DrenicaOnline.
Ky vendim u mor me konsensus të plotë gjatë takimit të zhvilluar në prani të kryetarit të rizgjedhur të komunës, Ramiz Lladrovci, dhe Shefit të Shtabit Zgjedhor, Arben Shala.
Krasniqi, i njohur për përvojën e tij dhe angazhimin e vazhdueshëm në jetën publike, do të ketë rolin kyç në koordinimin e punës së asamblistëve dhe në mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Drenasit në Kuvend.
Kryetari Lladrovci vlerësoi lart përgjegjësinë dhe përkushtimin e Krasniqit, duke theksuar se “ai do të jetë zë i fuqishëm i bashkëpunimit, i transparencës dhe i rezultateve konkrete në mandatin e ri komunal”.
Lista “Për Drenasin Kampion” po përgatitet për të nisur mandatin e ri me një ekip të bashkuar dhe të përkushtuar, me synim që Drenasi të mbetet shembull i menaxhimit të mirë dhe zhvillimit të qëndrueshëm./DrenicaOnline/
