Aktakuzë në Skenderaj ndaj dy personave për ndërtim pa leje dhe shkaktim rreziku të përgjithshëm

Departamenti i Përgjithshëm ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega Skenderaj, ndaj dy të pandehurve me inicialet A.A. dhe A.A., për veprat penale “Ndërtimi pa leje” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se në periudhën nga 20 korrik deri më 11 gusht 2023, në Skenderaj, kanë kryer punime ndërtimore pa leje të ndërtimit të kërkuar me ligj. Gjatë punimeve, ata nuk kishin vendosur pajisjet mbrojtëse të domosdoshme, gjë që çoi në rrëshqitje masive të dheut në thellësi prej dhjetë metrash nën nivelin e asfaltit.

Si pasojë, u shkaktuan dëme në pronën publike, përfshirë dy rrugë dhe murin rrethues të çerdhes së fëmijëve në ndërtim e sipër, si dhe dëme të konsiderueshme në pronat private të dy qytetarëve, me inicialet F.S. dhe D.Xh.

Prokuroria ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat për të cilat akuzohen dhe që ndaj tyre të shqiptohet sanksion penal konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë