Hektor Beqiri: Përpjekja jonë për drejtësi është betimi ynë moral

Atdhetari i njohur Hektor Beqiri, i cili nuk mungoi as sot në protestën e organizuar nga lëvizja “Liria ka emër” në Hagë, ka përsëritur zotimin e tij për të mos u ndalur kurrë në kërkim të drejtësisë për çlirimtarët e Kosovës.
Beqiri, i njohur për qindra vizitat që ka realizuar tek të paraburgosurit në Hagë, theksoi se përkushtimi ndaj kësaj kauze është më shumë se një detyrë — është betim moral ndaj atyre që dhanë gjithçka për lirinë e vendit.
“Përpjekja jonë e pashtershme për drejtësi është betimi ynë moral. Çdo hap që bëjmë, çdo fjalë që themi, buron nga dashuria për ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë. Ne nuk do të ndalemi derisa e vërteta të dëgjohet dhe drejtësia të vihet në vend për bijtë e kombit që luftuan për të,” – u shpreh Beqiri.
Protesta e sotme në mbështetje të çlirimtarëve po zhvillohet në kuadër të thirrjeve të vazhdueshme për drejtësi dhe respekt ndaj sakrificës së UÇK-së./DrenicaOnline/