Ekspozita “Një botë për të gjithë” e Xhemail Sllovinjës përcjell mesazh të fuqishëm për përfshirje dhe diversitet (Foto)

Fotoreporteri i njohur Xhemail Sllovinja ka hapur ekspozitën e veçantë me fotografi të personave të prekur nga sindroma Down, me titullin domethënës “Një botë për të gjithë”.
Në këtë ekspozitë, përmes portreteve të ndjeshme dhe artistike, Sllovinja ka sjellë në dritë bukurinë, forcën dhe autenticitetin e personave me sindromën Down, duke i bërë ata protagonistë të një bote ku dallimet duhen pranuar dhe festuar.
Autori ka falënderuar veçanërisht Europe House Kosovo për organizimin e eventit dhe mundësinë për përdorimin e hapësirës, duke e cilësuar mbështetjen e tyre si thelbësore në realizimin e kësaj nisme.
“Hapja e ekspozitës ‘Një botë për të gjithë’ ishte një moment i fuqishëm i diversitetit dhe gjithëpërfshirjes”, ka thënë Sllovinja.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë muajit tetor, i cili njihet ndërkombëtarisht si muaji i ndërgjegjësimit për personat me sindromën Down.
Përmes saj, publiku ftohet të reflektojë mbi pranimin, respektin dhe dashurinë ndaj secilit individ – ashtu siç janë.

