Haliti: Lladrovci, violina e parë në Drenas, zhvilloi një betejë të pabarabartë me kryesinë e tij

Një ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka komentuar fitoren bindëse të Ramiz Lladrovcit në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Drenasit, ku ky i fundit siguroi pothuajse më shumë se gjysmën e votave të qytetarëve.

Ramiz Lladrovci arriti të fitonte bindshëm në Komunën e Drenasit, duke siguruar mbi 52% të votave ose mbi 13 mijë vota.

Në një prononcim për IndeksOnline, Haliti tha se fitorja e Lladrovcit duhet të shërbejë për analizë dhe reflektim brenda kryesisë së PDK-së, e cila, sipas tij, ka dështuar në këtë komunë.

“Për fitoren e Ramizit dhe dështimin e kryesisë së PDK në Drenas, duhet të bëhat një analizë dhe reflektim nga kryesia. Ramizi është në PDK dhe fitorja e tij s’më ka merzitur”, ka thënë Haliti.

Sipas tij, për shumëkënd, fitorja e Lladrovcit ishte befasi, çka tregon se autoriteti i kryesisë së partisë është zbehur.

“Ka zhvilluar një betejë të pabarabartë me kryesinë e partisë etj. Por e ka fituar. Tani ai është violina e parë në Drenas, por për shumë njerëz ka qenë befasi. Autoriteti i kryesisë është zbehur”, ka theksuar ai.

Kundërkandidati i Lladrovcit nga PDK-ja, Petrit Hajdari, ka mbetur dukshëm prapa me rreth 37 për qind të votave, apo 9370 vota.

Ndërkaq, Egzona Tërdevci, sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka përfunduar e treta me rreth 1000 vota apo rreth 4%./IndeksOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë