Shefi i Shtabit të PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha: Qytetarët e dhanë fjalën e tyre, ne e pranojmë me respekt

Shefi i Shtabit të PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha, ka reaguar pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke falënderuar të gjithë aktivistët, kandidatët dhe strukturat e partisë për angazhimin dhe korrektësinë gjatë fushatës, transmeton portali DrenicaOnline.
“Zgjedhjet janë përmbyllur dhe qytetarët e Drenasit e kanë dhënë fjalën e tyre. Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë aktivistët, kandidatët për Kuvend Komunal dhe strukturat e PDK-së për angazhimin, përkushtimin dhe korrektësinë që treguan gjatë gjithë këtij procesi. Kemi bërë një fushatë të ndershme, pa presione e premtime boshe,” ka shkruar Hoxha.
Ai ka uruar kundërshtarin politik për rezultatin, duke theksuar se PDK-ja e pranon me respekt vullnetin e qytetarëve, por mbetet krenare për qëndrimin me dinjitet dhe parime.
“S’është e rëndësishme vetëm kush fiton sot, por kush ruan fytyrën dhe besimin e njerëzve për nesër. Faleminderit, Drenas, për çdo derë të hapur, çdo fjalë të mirë dhe çdo dorë të dhënë gjatë këtij rrugëtimi. Rrugëtimi ynë vazhdon me dinjitet, me punë dhe me besim në vlerat që na bashkojnë,” ka përfunduar Hoxha.