Aksident tragjik në Kamenicë, humb jetën një 10-vjeçar, – 16-vjeçari që drejtonte makinën ndalohet nga policia

Një aksident i rëndë me pasoja fatale ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Kamenicë, ku një 10-vjeçar ka humbur jetën dhe dy persona të tjerë janë lënduar.

Ngjarja ka ndodhur më 05 tetor 2025, rreth orës 18:30, në aksin rrugor lokal që lidh fshatin Novosellë me fshatin Karaqevë të Poshtme, kur një automjet i tipit “BMW 320”, që drejtohej nga E. R (16 vjeçar), ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.

Sipas hetimeve fillestare, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e mos­përshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës. Automjeti, duke lëvizur nga drejtimi i fshatit Novosellë në drejtim të Karaqevës, në afërsi të shtëpisë së B.L, ka goditur anësoret e rrugës (bankinat) dhe më pas ka përfunduar jashtë trase­së.

Si pasojë e përplasjes, pasagjeri L.B, i lindur më 2015, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri tjetër, A.M rreth 20-vjeçar, janë lënduar dhe janë dërguar fillimisht në QMF Rogaqicë, e më pas në Qendrën Emergjente të Gjilanit, ku kanë marrë trajtimin mjekësor dhe janë liruar.

Me rastin është njoftuar Prokurorja e Shtetit, e cila ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 24 orë për procedura të mëtejshme ligjore.

Hetimet janë në vazhdim nga njësitet e trafikut të Policisë së Kosovës në Kamenicë, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan, për të sqaruar të gjitha rrethanat që çuan në këtë tragjedi.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë