16-vjeçari goditet me thikë në Fushë Kosovë, përfundon në spital – i dyshuari i mitur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Fushë Kosovë, ku një i mitur 16-vjeçar është lënduar rëndë me thikë gjatë një përleshjeje mes disa të rinjve.

Sipas të dhënave nga burimet, rasti është raportuar më 05 tetor 2025, rreth orës 21:30, në rrugën “Selim Grajqevci”. Nga hetimet fillestare, dyshohet se gjatë një rrahjeje mes disa personave, viktima A.R. rreth 16-vjeçar është goditur me mjet të mprehtë – thikë, në pjesën e pasme të shpinës.

I lënduari është dërguar fillimisht në QKMF Fushë Kosovë, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më pas është transferuar në QKUK – repartin e kirurgjisë torakale, ku është hospitalizuar në gjendje të qëndrueshme. Për shkak të gjendjes shëndetësore, viktima nuk ka qenë në gjendje të intervistohet nga hetuesit.

Policia ka intervistuar disa dëshmitarë dhe të dyshuar, përfshirë një të mitur D.Z. rreth 17-vjeçar, por ende nuk është sqaruar se kush e ka goditur viktimën me thikë, pasi disa persona të përfshirë në përleshje nuk janë gjetur ende.

Në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur prova materiale që lidhen drejtpërdrejt me goditjen.

Me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar për të mitur, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa hetimet janë në vazhdim nga njësitë e hetimeve në Fushë Kosovë, për identifikimin dhe arrestimin e personit përgjegjës për plagosjen.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë