Haxhi Xhemajli del publikisht në përkrahje të Ramiz Lladrovcit: “Ky është profili im, kjo është bindja ime!”

Anëtari i Kryesisë së PDK-së në Drenas, Haxhi Xhemajli, ka dalë publikisht në përkrahje të kryetarit aktual të komunës dhe kandidatit për një mandat të ri, Ramiz Lladrovci.

Në një deklaratë të gjatë e të sinqertë, Xhemajli thekson se vendimi i tij nuk ka qenë i lehtë, por është marrë me ndërgjegje të pastër dhe pa asnjë interes personal. Ai kujtoi kontributin e tij dhe të familjes në rrugën e lirisë, duke u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më pas në Partinë Demokratike të Kosovës.

“Për kryetar të Komunës së Drenasit, mbështetja ime do të jetë për Ramiz Lladrovcin,” – thekson Xhemajli, duke shtuar se askush nuk ka të drejtë t’i diktojë se çfarë të mendojë apo të postojë në profilin e tij.

Ai kritikon ashpër disa individë brenda subjektit që, sipas tij, kanë devijuar nga vlerat dhe idealet e PDK-së.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë e miq,

Vendimet politike asnjëherë nuk kanë qenë të lehta për mua, sepse unë nuk jam prej atyre që i shoh si interesa personale. Për mua, politika gjithmonë ka qenë vazhdim i sakrificës dhe i rrugës së luftës për liri.

Unë dhe familja ime kemi dhënë gjithçka për Kosovën – në rininë time u rreshtova në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me vëllezërit e motrën time. Pas luftës, kontributin tim e vazhdova në Partinë Demokratike të Kosovës, aty ku u mblodhën shumica e atyre që e udhëhoqën luftën dhe e sollën lirinë. Për vite me radhë kam qenë besnik, punëtor e i përkushtuar për idealet e PDK-së, pa kërkuar asgjë tjetër për vete.

Por, sot jam i detyruar të jem i qartë me të gjithë ju:

Për kryetar të Komunës së Drenasit, mbështetja ime do të jetë për Ramiz Lladrovcin.

Ky vendim nuk është marrë lehtë, por është marrë pasi disa tentuan të më diktojnë e madje të më orkestrojnë se çka duhet të postoj në profilin tim. Dua të jem i qartë: askush nuk ka të drejtë të më udhëzojë mua se si të mendoj, se për kë të flas apo çka të shkruaj. Ky është profili im, kjo është bindja ime, dhe unë vendos vetëm sipas ndërgjegjes sime.

Kontributi im në PDK nuk mund ta fshijë askush, sepse është i shkruar me mund, me djersë e me sakrificë . E një gjë e them me bindje: një ditë secili prej nesh do të japë llogari për veprimet dhe zgjedhjet që ka bërë. Unë, sot, e jap llogarinë time hapur, pa frikë dhe me ndërgjegje të pastër.

Në fund, ata që e sollën PDK-në në këtë gjendje duhet të ndihen të turpëruar. Dhe të tillë do të mbesin pas 12 tetorit.

Me shpresë e besim se Hashim Thaçi së shpejti do të kthehet në Kosovë,
për ta vendosur sërish Partinë Demokratike të Kosovës në rrugën që dikur e filluam me ideal, sakrificë dhe besim.

Ne që ishim aty nga dita e parë, do ta ruajmë frymën e asaj rruge deri në fund.

Me respekt,
Haxhi Xhemajli
Anëtar i Kryesisë së PDK-së – Dega Drenas

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë