Ramiz Lladrovci: Sulmi në Drenas para 33 vitesh kundër okupatorit shënon fillimin e epokës së UÇK-së

Më 30 shtator 1992, ora 20:20, në Drenas u shënua një kthesë historike për popullin shqiptar në Kosovë. Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kujtuar aksionin e parë të armatosur kundër okupatorit serb, duke e cilësuar si fillimin e epokës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në reagimin e tij, Lladrovci ka treguar se pas debateve e përpjekjeve paqësore që nuk po jepnin rezultat, vendimi i bashkëveprimtarëve ishte i qartë: të goditet okupatori aty ku i dhemb më së shumti. Ai ka përshkruar në detaje natën e aksionit, duke theksuar guximin dhe vendosmërinë e grupit.
“Bashkë, në makinë, të pajisur me dy armë të familjes Lladrovci, jemi nisur në aksion. Nga pesë pjesëmarrësit – Hashim Thaçi, Sami Lushtaku, Jakup Nura, Elmi Zekaj dhe unë – kishim katër armë. Elmiu mbeti pa armë dhe e larguam para aksionit, në mënyrë që të kishte një dëshmitar që do të tregonte se kishim filluar luftën e armatosur kundër okupatorit. Aksioni doli me sukses të plotë, u tërhoqëm pa pasoja dhe asnjëri nuk u burgos e as nuk u dekonspirua”, ka thënë Lladrovci.
Postimi i plotë:
Sulmi në Drenas para 33 vitesh kundër okupatorit shënon fillimin e epokës së UÇK-së
Më 30 shtator 1992, në ora 20:20, ishte ditë e fillimit të një epoke të re e cila nuk do të ndalej, deri në çlirimin e vendit. Analizat e bashkëveprimtarëve jepnin të gjitha një rezultat, luftë. Vendimi ishte të bëhet goditje e okupatorit, aty ku i dhemb më së shumti. Aksioni do të shënonte sulmin e parë të armatosur për çlirim, apo aksioni i parë i UÇK-së.
Liria na detyronte të bëjmë më shumë, debatet, vlerësimi i gjendjes dhe fjalët tashmë ishin shpenzuar, protestat dhe letrat, nuk bënin punë pavarësisht adresave ku arrinin. Terrori i okupatorit serb, kishte marrë përmasa të gjenocidit, me rrahje, burgosje, torturë dhe vrasje. Rinia kishte filluar ta mendonte ikjen nga Kosova si zgjidhje.
Me guxim, të gatshëm deri në vetëmohim, me shokët e idealit e vendosëm ditën për aksionin e armatosur, fillimi ishte në Drenas. Fillimi i një epoke krejt të re, kur nga fjalët dhe veprat propagandistike antijugosllave, jemi nisur nga shtëpia ime në Gllanasellë. Makina me të cilën do të kryhej aksioni, ishte makinë e imja të cilën ma kishin blerë familjarët vite më parë.
Bashkë, në makinë, të pajisur me dy armë të familjes Lladrovci, jemi nisur në aksion. Nga pesë pjesëmarrësit në aksion, Hashim Thaçi, Sami Lushtaku, Jakup Nura, Elmi Zekaj dhe Unë, kishim katër armë, pa armë mbeti Elmiu dhe atij i kemi thënë të largohet para aksionit dhe nëse do të vriteshim të paktën të kishim një dëshmitar që do të dëshmonte se kishim filluar aksionet e armatosura kundër okupatorit. Kemi pritur deri sa të largoheshin edhe nxënësit e fundit nga Stacioni i Autobusëve, ku e zumë priten. Aksioni doli me sukses të plotë, e arritëm qëllimin, u tërhoqëm pa pasoja dhe asnjëri nga grupi nuk u burgos e as nuk u dekonspirua.
Aksioni pati ndikim të fuqishëm me jehonë të madhe, duke dhënë shenjën se epoka e çlirimit po fillonte dhe atdhetarët po përgatiteshin për rrethanat e reja.
Ajo ditë dëshmoi se armiku ynë shekullor ishte i lëndueshëm dhe nuk ishte më i fortë e as më i guximshëm se ne. Ata kishin ardhur okupator të vrisnin për tokën e huaj e pse nuk do të vdisnim ne për tokën tonë. Ne ishim përcaktuar ashtu siç e kishte përmbledhur historinë tonë të re me një fjali Feha: Liria është më e shtrenjtë se jeta.
Kjo ditë, para 33 vitesh, konsiderohet si sulmi i parë i armatosur kundër okupatorit në Drenas dhe dëshmonte ekzistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimin e epokës që do të përfundonte me çlirimin e Kosovës, aleancën me NATO-n dhe botën e popujve të lirë.
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Lavdi Komandantit tonë legjendar Adem Jashari!
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!