E vërteta dhe mashtrimi i audio-incizimit – Reagim publik i Labinot Halilajt

 

Një ditë pas publikimit të një audio-incizimi që u cilësua si i manipuluar, anëtari i Kuvendit Komunal të Drenasit, Labinot Halilaj, ka reaguar me një deklaratë publike. Ai e ka quajtur incizimin të paligjshëm dhe me prapavijë politike, duke i bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë rastin.

Halilaj thekson se qëllimi i kryetarit Ramiz Lladrovci në takimin e përmendur ka qenë vetëm zhbllokimi i pronës publike, ndërsa sipas tij, pretendimet për atë pronë i ka shprehur vetëm Arigon Sinani. Ai ka akuzuar Sinanin për metoda shantazhi dhe lidhje politike me Petrit Hajdarin, duke shtuar se incizimi është përdorur në mënyrë të qëllimshme gjatë fushatës elektorale.

Më poshtë, deklarata e plotë e Labinot Halilajt:

Reagim publik

Të nderuar qytetarë të Komunës së Drenasit,

Dje është publikuar një audio-incizim manipulues dhe mashtrues, i realizuar nga Arigon Sinani një përfitues i pronës publike. Me këtë rast, i bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit që të merret urgjentisht me këtë çështje dhe të hetojë incizimet e paautorizuara të kryera nga ai, të cilat nuk janë të vetmet.

E vërteta e takimit
Në takimin ku të pranishëm ishin; Ramiz Lladrovci, Bekim Lestrani, Hamit Kastrati, Ndriqim Cakiqi, Arigon Sinani dhe unë.
Qëllimi i vetëm i z. Lladrovci në këtë takim ka qenë zhbllokimi i pronës publike, pa kërkuar asgjë në kthim. Pikë.
I vetmi që ka shprehur pretendime për atë pronë ku zhvillon edhe biznesin e tij ka qenë Arigon Sinani, dhe këtë e dëshmojnë shumë të pranishmit në takim. Pikë.

Kërkesë për hetim
Prokuroria duhet ta thërrasë në përgjegjësi Arigon Sinanin dhe t’i kërkojë të gjitha audio-incizimet që ai ka realizuar në mënyrë të paligjshme me metoda që na kujtojnë kohën e UDB-së për qëllime shantazhi dhe denigrimi.

Përdorimi politik i incizimit
Publikimi i incizimit në kohë fushate nuk është rastësi. Ai lidhet me Petrit Hajdarin, një figurë e dështuar e politikës në Drenas, i cili është nominuar tri herë për deputet dhe asnjëherë nuk është zgjedhur. Edhe po të nominohet 100 herë për kryetar komune, karriera e tij do të mbetet në fazën e kandidimit. Mbase suksesi i tij më i madh politik është mundësia për të hyrë në librin Guinness për më së shumti nominime pa fitore.

E Arigon Sinani, edhe në atë kohë dhe gjatë gjithë periudhës, ka qenë përkrahës i tij dhe është përpjekur ta promovojë për kryetar komune një fakt i njohur për të gjithë. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja pse unë qëndroj më i fuqishëm se kurrë përkrah Ramiz Lladrovcit.

Thirrje për qytetarët
Andaj të nderuar qytetarë, mos bini pre e incizimeve të manipuluara e të prera me qëllime politike. E me besim të plotë në drejtësinë e Prokurorisë së Shtetit, këtyre metodave të UDB-së do të ju vije fundi e e vërteta do të dalë në shesh!

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë