Koha e zgjedhjeve: Qëllimisht po shkaktohen zjarre dhe dëmtohet pasuria publike në Drenas

Zjarrvënie të qëllimshme dhe sabotim i ndriçimit publik në disa fshatra rrezikojnë sigurinë e qytetarëve

Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjenca e Komunës së Drenasit ka reaguar ashpër ndaj disa veprimeve të qëllimshme që po dëmtojnë mjedisin, sigurinë dhe pasurinë publike.

Sipas njoftimit zyrtar, ditëve të fundit janë ndezur qëllimisht zjarre në deponinë inerte të mbeturinave, ndërsa sot një akt i ngjashëm është përsëritur edhe në Qukën e Komoranit, duke krijuar situata shqetësuese për komunitetin dhe mjedisin.

Njëkohësisht, ndriçimi publik është sabotuar në disa zona, përfshirë Drenas, Komoran, Nekoc, Tërdec dhe Poklek të Ri, përmes shkatërrimit të sensorëve, ndaljes së funksionimit, marrjes së siguresave apo kyçjes gjatë ditës, duke lënë hapësira të tëra në errësirë.

“Këto veprime nuk janë rastësi – ato përbëjnë dëm të drejtpërdrejtë për mjedisin dhe pasurinë publike, si dhe pengesë për mirëqenien e qytetarëve,” thekson drejtoria.

Institucioni lokal ka paralajmëruar se të gjithë personat që dëmtojnë mjedisin, pasurinë publike dhe rrezikojnë sigurinë e komunitetit, do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.

Komuna e Drenasit thekson se do të vazhdojë të mbrojë qytetarët dhe pronën publike, pavarësisht këtyre akteve të pandërgjegjshme, duke garantuar se arritjet e deritanishme do të mbrohen me çdo mjet ligjor.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë