Dhimbje dhe qëndresë/ Historia e mbijetesës së Mentor Delijajt nga masakra e ndodhur në Abri të Epërme

Mentor Delijaj ka ndarë një rrëfim prekës për përjetimet e tij si fëmijë gjatë masakrës së Delijaj – Abria e Epërme, ku dhuna dhe terrori pushtuan shtëpitë e tyre. Ai tregon se si, mes krismave dhe britmave, u morën jetë të pafajshme, por nuk u shua kujtesa dhe e vërteta.

“Ne ishim fëmijë, të pafajshëm, kur dhuna më e errët ra mbi shtëpitë tona. Pamë me sytë tanë masakrën, krismat dhe britmat që s’harrohen kurrë. Na u morën të afërmit, por jo kujtesën tonë,” shprehet Delijaj.

Ai thekson se mbijetesa e tij dhe e të tjerëve nuk ishte për shkak se ishin më të fortë, por sepse Zoti dhe fati i deshën dëshmitarë. “Çdo ditë që marrim frymë, e dimë se jemi zëri i atyre që nuk mundën të flasin më. Mbijetuam me plagë të shpirtit, me dhimbje që nuk shërohet, por edhe me vendosmërinë për të mos lejuar që e vërteta të harrohet.”

Në këtë përvjetor, Mentor Delijaj nderon nënat, baballarët, motrat e vëllezërit e rënë në atë ngjarje tragjike. “Edhe pse u përpoqën të na zhduknin, ne mbetëm këtu. Ne jemi dëshmi e gjallë e mbijetesës, e dhimbjes, por edhe e qëndresës,” përfundon ai.

Ky kujtim është një thirrje për të mos harruar dhe për të ruajtur të gjallë kujtesën e atyre që u flijuan, duke dëshmuar se e vërteta dhe drejtësia do të mbeten të pashuara.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë