Shukri Buja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Nismën Socialdemokrate në Lipjan

Kandidati për kryetar të Komunës së Lipjanit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Shukri Buja, ka njoftuar mëngjesin e sotëm se është arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Nismën Socialdemokrate për zgjedhjet lokale.
Sipas marrëveshjes, Nisma Socialdemokrate do të mbështesë kandidaturën e Bujës për kryetar të komunës dhe nuk do të garojë me kandidat për këtë post, ndërsa do të marrë pjesë me listën e saj për Kuvendin Komunal.
Buja e cilësoi këtë bashkim si të bazuar në kontributin e përbashkët në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se ky hap forcon vizionin për fitore në zgjedhjet e ardhshme.
“Ky bashkim është i ndërtuar mbi themelin e lavdishëm e të përbashkët, kontributin tonë në radhët e UÇK-së. Fitorja është e jona”, ka deklaruar Shukri Buja.