Prej lisit nuk po e shohin malin – Ramiz Lladrovci me mesazh të fortë për qytetarët e Drenasit

Ramiz Lladrovci, kryetar i Komunës së Drenasit dhe kandidat për edhe një mandat, ka dërguar një mesazh të qartë për qytetarët e komunës, duke u shprehur se disa po fokusohen vetëm te “lisi” dhe nuk po e shohin “malin”.
“Qytetarëve të mirë, atdhetarëve të devotshëm e punëtorë të Drenasit, gjashtë herë kampion të performancës, edhe një herë u vije oferta e lodhtë nga ata që nuk e presin. Besnikët e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, janë besnik të UÇK-së e PDK-së, por jo edhe të ‘Dadës Razë’ e votimit symbyllur”, ka deklaruar Lladrovci.
Ai ka theksuar se qytetarët e Drenasit e dallojnë veprën nga mashtrimi, kampionin nga bedeli dhe profilin origjinal nga imitimi, duke shtuar se tashmë janë përcaktuar me 101 arsye “Për Drenasin Kampion”.
Lladrovci ka bërë thirrje që qytetarët të mos bien pre e përçarjes, shpifjes apo dezinformimit, duke theksuar se fitoren e tij nuk mund ta ndalë askush.
“Ftoj liderët e partive ta lënë Drenasin dhe qytetarët në dimensionin e vet, ashtu siç janë, shihni e bëni propagandë në degët ‘e mëdha’, duke filluar nga kryeqendra dhe komunat që tashmë i keni ftuar qytetarët pa dallim të votojnë për kryetarët ‘e suksesshëm’ gjë që duan t’i pengojnë qytetarët kampionë ta votojnë kryetarin kampion”, ka shtuar ai.
Në përmbyllje, Lladrovci dërgoi një porosi të fuqishme: “Nga lisi që e kanë përpara, disa nuk po e shohin malin!”