Shukri Buja: Lipjani do të kthehet në destinacion turistik

Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka prezantuar vizionin e tij për zhvillimin e turizmit dhe rekreacionit në këtë komunë, sektorë që sipas tij kanë mbetur të anashkaluar për 12 vite me radhë.
Ai tha se Lipjani, pavarësisht bukurive natyrore, është trajtuar vetëm si një pikë tranzitore, ndërsa vizioni i tij është që ta shndërrojë në një destinacion të mirëfilltë turistik.
Buja ka paralajmëruar ndërtimin e një Qendre Rekreacioni në afërsi të Parkut Nacional të Blinajës, në një hapësirë prej 3 hektarësh. Projekti, sipas tij, do të përfshijë:
Tenda luksoze dhe mini-kabina prej druri, Zona pikniku me barbikju, Restorant panoramik, Amfiteatër natyror për aktivitete kulturore, Shtigje për ecje dhe çiklizëm, Kënde relaksuese e lojërash për fëmijë, Fusha sportive dhe parkingje për vizitorë.
“Kjo qendër do të jetë jo vetëm për banorët tanë, por edhe për vizitorët e huaj, duke krijuar kushte që ata të qëndrojnë më gjatë në Lipjan dhe të vizitojnë të gjitha pikat tona turistike. Me vizionin tonë, Lipjani nuk do të jetë më thjesht një stacion kalimtar, por një destinacion i gjallë dhe atraktiv për të gjithë”, tha Buja.