Shukri Buja: “Lumi Sitnica do të kthehet në simbol jete dhe gjelbërimi për Lipjanin”

Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka shpallur një nga projektet kryesore të programit të tij zgjedhor, që lidhet me rregullimin e shtratit të lumit Sitnica.
Ai tha se lumi nuk duhet të jetë simbol i neglizhencës, por i jetës, gjelbërimit dhe bukurisë urbane.
“Gjatë mandatit tonë do të fillojmë rregullimin e shtratit të lumit Sitnica në anën e majtë të rrugës ‘Hajredin Bajrami’. Aty ku sot kemi një hapësirë të degraduar, nesër do të ndërtojmë një zonë funksionale dhe atraktive për qytetarët”, deklaroi Buja.
Sipas tij, projekti do të përfshijë ndërtimin e shtigjeve për ecje dhe çiklizëm, kënde lojërash për fëmijë, hapësira për relaks dhe gjelbërim, duke krijuar një zonë urbane të re që do t’i japë frymëmarrje qytetit.
Buja shtoi se ky projekt është më shumë sesa rregullim i një shtrati lumi – është investim në cilësinë e jetës, mirëqenie, kohën e lirë dhe në të ardhmen e brezave.
“Qyteti nuk rritet vetëm me ndërtesa, por me kujdes për natyrën, ambientin dhe njerëzit. Lipjani i së nesërmes fillon sot me projekte që prekin jetën tuaj çdo ditë”, theksoi kandidati për kryetar të Lipjanit.