Reflektime përtej xhamit të kristaltë

Shkruan: Denada JUSHI

Kur ora shënon 9.00, e ke tejkaluar 3 linja sigurie kontrolli, e vetmja gjë që të mbetet është një laps e një letër për të shënuar, të cilat refuzova t’i marr, mendja duhet të jetë aq në alert sa të mund të “regjistrojë” gjithçka.
Rrjeta ngrihet dhe nisin të shfaqen, thinjat e Hashim Thaçit, i cili është dobësuar, por jo vendosmëria e tij.
Jakup Krasniqi, të sheh i menduar, me siguri shumë prej nesh nuk na njeh, por mendon çfarë kemi shkruar e thënë për të në këtë gjysmë dekadë, nuk është pak, kur hyn në dhomat e ndalimit si baba, e tash është bërë gjysh…
Kadri Veseli, ka stampuar buzëqeshjen që duket se i del nga sytë, moskokëçarës, sikur po thotë, unë nuk u tremba në luftë, kjo është hiç asgjë, ndërsa Rexha, nuk ka harruar të marrë me vete ngjyrat dhe nuk ka gjykatës në botë, t’i ndalojë atij të vizatojë në seancat që duken si të pambaruara!

Në podium, janë miq, familjarë e të njohur, që në heshtjen e tyre duket se thonë, u desh të kalonte edhe kjo…
Njëri nga vëllezërit e Hashim Thaçit, është pozicionuar pranë meje, ka hijen e tij, nuk flet asnjë fjalë sepse vëmendja është e gjitha te seanca, çdo fjalë ka peshë, çdo sekond ka në dorë të ardhmen e vëllait, por edhe të historisë së vendit të tij.
Tutje edhe djali i Kadri Veselit, është ende i ri, kur babai u desh të largohej ishte një djalosh adoleshent, sot është maturuar, edhe më shumë se çka moshën, e jo për zgjedhje por se s’ka zgjidhje tjetër, prej 5 vitesh është ai në krye të shtëpisë.
Mjaftojnë disa ditë të ndjekësh seancat prej orës 9 deri në 17.00 a më gjatë për të kuptuar se po kalon një sfidë durimi, e kur “vendos” të ankohesh, kujtohesh se njerëzit që ke përballë, kanë 5 vjet me këtë sprovë, e kur kujton “arsyet” durimi dëshiron të ikë rrëmbyeshëm.
Por jo për ata…
Dikur çlirimtarë, sot qëndrestarë.
Asnjëri prej tyre nuk shpreh asnjë pikëllim, veç janë të menduar.
Asnjë ndjesi të keqe edhe kur cinizmi i prokurorëve mërzit gjithëkënd që ka vesh të dëgjojë.
Fjalë të përzgjedhura keq, por jo pa dashje.
Ndërsa përballë njerëz që kanë bërë beteja, nga ato realet!
Pyetje që nxisin dëshirën që t’i kundërvihesh, por secili prej tyre është mjaftueshëm i mençur për të mos rënë në atë grackë!
Pyetje
Përgjigje
Kundërpërgjigje
E kështu me ditë, javë, muaj e vite…

Edhe sot mbaron.
Para se të ulen perdet e xhamit që na ndan;
Të katërt
Hashimi, Kadriu, Rexhepi, Jakupi, përshëndesin me dorën në zemër, si një herë e një kohë…
Sepse ka disa gjëra që nuk ndryshojnë kurrë.
Si historia
Si e vërteta
Ajo duhet vetëm lënë të dalë në dritë!
E siç Amerikani James Rubin, tha:
“ Për ne ishte e vështirë të kuptonim se duhet t’i besonim ‘kanë dhënë fjalën’.
Se kjo ishte mënyra e tyre për bërë një marrëveshje, për të dhënë një betim…
Koha tregoi se ata e mbanin fjalën! “
5 vjet janë shumë nga jeta e gjithkujt!
Por mesa duket çmimi i lirisë nuk qenka i lehtë, si nuk ka qenë as ai i pavarësisë….!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë