Halil Kastrati shpallet “Qytetar Nderi” i Malishevës, paralajmëron projekt madhor humanitar në Llapushë

Komuna e Malishevës ka shpallur sot Halil Kastratin, humanistin dhe themeluesin e shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, si “Qytetar Nderi”.
Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se ky është një nderim i madh që Llapusha i bën një biri me rrënjë nga Malisheva, i cili me veprën e tij ka kthyer lotin në buzëqeshje dhe shpresën në jetë për mijëra familje, transmeton portali DrenicaOnline.
“Nga zemra e falënderojmë Halilin për lajmin e madh që na dha sot, se në Malishevë do të vendosim gurthemelin e një prej projekteve më të mëdha e më të mira; qendër për të moshuarit, kuzhinë, përkujdesje për fëmijët me nevoja të veçanta dhe hapësirë rezidenciale për qëllime bamirësie. Ky është një hap i madh drejt një Malisheve më humane dhe më të bashkuar”, u shpreh Kastrati.
Halil Kastrati prej vitesh njihet për aktivitetin e tij humanitar në gjithë Kosovën dhe rajonin, duke ndihmuar mijëra familje me projekte konkrete në strehim, ushqim, arsim dhe shëndetësi./DrenicaOnline/