Zabeli i Ulët nis furnizimin me ujë të pijshëm, së shpejti edhe fshatra të tjerë!

Sot, në një takim të përbashkët mes Nënkryetarit të Komunës së Drenasit, Arben Shala, Kryeshefit të KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, Drejtorit Teknik, Armend Avdiu, Udhëheqësit të Projekteve, Sokol Bylykbashi, si dhe Menaxherit të Njësisë në Drenas, Ismet Balija, u dakordua që me kapacitetet ekzistuese të ujit të nisë furnizimi në zonat ku rrjeti i ujësjellësit është funksional.
Sot ka nisur furnizimi me ujë të pijshëm në fshatin Zabel i Ulët, ndërsa nga java e ardhshme do të fillojë furnizimi edhe në fshatra të tjerë, ku janë përfunduar investimet dhe testimi i rrjetit.
Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë mes Komunës së Drenasit dhe KRU “Prishtina”, sot u nënshkrua edhe Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëfinancimin e projektit “Ndërtimi i kapacitetit të ujësjellësit në Komunën e Drenasit”, me vlerë totale prej 79,858 euro. Kompania do të kontribuojë me 50,000 euro, ndërsa Komuna e Drenasit me 29,858 euro.
Gjatë dy viteve të fundit, Komuna e Drenasit ka investuar rreth 2 milion euro në rrjetëzimin e ujësjellësit në vendbanime, duke përmirësuar kushtet dhe cilësinë e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët.
Komuna e Drenasit dhe KRU “Prishtina” janë të përkushtuara që çdo fshat të ketë furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm, për një jetë më të mirë dhe zhvillim të qëndrueshëm!