Lladrovci në takim me ambasadorin britanik Hargreaves: Çelësi i suksesit të performancës tonë është disiplina

Sot, ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, ka vizituar komunën e Drenasit, me ç’rast u prit nga kryetari i komunës, z. Ramiz Lladrovci me bashkëpunëtorë. Kryetari Lladrovci e falënderoi Ambasadorin për vizitën, duke theksuar se ndjehet i nderuar me vizitën e tij.
“Qeverisja e mirë, transparente dhe llogaridhënëse e bëjnë komunën e Drenasit kampione në garën e performancës komunale në nivel nacional”, theksoi Lladrovci, duke shtuar se çelësi i suksesit është disiplina.
Ambasadori Jonathan Hargreaves, shprehu falënderim për mikpritjen dhe u njoh me projektet e infrastrukturës, në zbatimin e barazisë gjinore, barazinë para ligjit dhe respektimin e ligjit, në arsim, shëndetësi, etj, njëkohësisht u njoh me sfidat e komunës së Drenasit të lidhura me ujin, ruajtjen e ambientit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Lladrovci po ashtu vlerësoi lart përkrahjen nga Britania e Madhe gjatë dekadave të fundit dhe ditëve më të vështira, në veçanti për transformimin e UÇK-së në TMK dhe më vonë në FSK.
Kryetari Lladrovci për ambasadorin Hargreaves kishte dy dhurata, librin e Bedri Islamit “Përjetësia e dyfishtë”, kushtuar Fehmi e Xhevë Lladrovcit si dhe medaljonin e punuar nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas.