Ambasadori britanik vlerëson lartë qeverisjen e Ramiz Lladrovcit në Drenas: Një nga komunat me performancën më të mirë në Kosovë

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka vizituar sot Komunën e Drenasit, ku është pritur nga kryetari Ramiz Lladrovci.

Në një postim publik, ambasadori u shpreh i lumtur për vizitën dhe vlerësoi punën e komunës, duke e cilësuar Drenasin si njërën ndër komunat me performancën më të mirë në vend, falë menaxhimit efikas dhe përfitimit të granteve të performancës.

Ai veçoi si prioritete të rëndësishme të qeverisjes komunale përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve, adresimin e skrapit të automjeteve të vjetra dhe sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë.

Gjatë vizitës, Hargreaves u takua edhe me Kadire Tahirajn, drejtoreshë e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave, ku u njoh nga afër me projektet për fuqizimin ekonomik të grave të zonës dhe mbështetjen që kjo qendër merr nga komuna.

“Frymëzuese për të parë një përkushtim të tillë për fuqizimin e grave dhe forcimin e komunitetit,” u shpreh ambasadori britanik.

Vizita e ambasadorit britanik në Drenas u pa si një tjetër vlerësim për lidershipin e Ramiz Lladrovcit dhe përkushtimin e tij në zhvillimin e komunës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë