Laureta Thaçi, zëri i gruas dhe i rinisë për një Drenas kampion

Iniciativa qytetare “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin” ka shpallur bartësen e listës, një emër që mishëron përkushtimin, profesionalizmin dhe vlerat më të larta njerëzore, Laureta Thaçin nga Llapushniku, transmeton portali DrenicaOnline.
Laureta Thaçi është magjistër në Gazetari dhe Kontakte me Publikun, me një karrierë të ndërtuar mbi përvojë të pasur në udhëheqjen e disa drejtorive komunale dhe në Zyrën për Komunikim me Publikun dhe Media. Ajo ka dëshmuar gjithmonë profesionalizëm, korrektësi dhe lidership, duke qenë pranë qytetarëve në çdo moment.
Rrugëtimi i saj politik dhe jetësor ka një dimension të veçantë – është i ndërtuar mbi amanetin e babait dhe gjyshit të vrarë në luftë, të cilin Laureta e vazhdon me dinjitet, përkushtim dhe përgjegjësi, duke e kthyer sakrificën e familjes në motiv për të shërbyer me nder.
Për qytetarët e Drenasit, ajo përfaqëson një zë të fuqishëm, një grua të guximshme dhe një lidere të denjë që e vendos interesin e qytetarëve mbi gjithçka. Energjia e saj, vizioni modern dhe vendosmëria për t’i çuar përpara projektet zhvillimore të komunës, e bëjnë Laureta Thaçin një garanci të fuqishme të suksesit të kësaj iniciative.
Me përvojën profesionale, integritetin personal dhe rrënjët e thella të sakrificës familjare, Laureta Thaçi është simbol i besimit se Drenasi do të vazhdojë të jetë kampion – me Ramiz Lladrovcin dhe me një ekip që garanton fitore dhe zhvillim./DrenicaOnline/